PD në "ditë zie", flamurin në gjysmështizë (Foto)
Partia më e re në Komunë të Bujanocit, në ballkonin e selisë së saj qendrore, me javë po mban flamurin në gjysmështizë (fund-shtizë).E vendosur në shtizën prej druri, flamuri zyrtar i Partisë Demokratike (PD) vazhdon të “gjysmë-valoj” në ballkonin e ndërtesës në qendër të Bujanocit.
Gazetarët e Titullit, këtë simbol të partisë që drejton Komunën e Bujanocit, me javë e kanë parë në gjendjen që është edhe sot (25 shkurt-ora 09:00), ndërsa nga kujdestarët e kësaj zyre nuk është ndërmarrë asgjë për të ngritur krenarin e tyre në maje të shtizës.
Ndryshe, pakënaqësitë e fundit të anëtarëve të këtij subjekti politik, që jo pak po shqetësojnë Kryesinë e sidomos drejtuesin e saj, kryetarin Nagip Arifi, mund të kenë qenë arsyet që një simbol që u bart me krenari në fushatën për zgjedhjet lokale dhe ato për Këshillë Kombëtar, të lihet pas dore.
Flamujt e shteteve dhe institucioneve në gjysmështizë vendosen në raste të katastrofave apo ditëve zie, ndërsa në rastin konkret shpresojmë që njëri nga këto faktorë të mos ketë prekur edhe partinë e cila po e drejton Komunën e Bujanocit për gati tre vite me radhë. /Titulli.com/